
26 Oct Çistiti dhe çfarë duhet të dimë
Çistiti është një inflamacion i ‘’besdisshëm’’ i mukozës së vezikes urinare, organi i cili akumulon urinën( e prodhuar nga veshkat) përpara se të eleminohet.
Inflamacioni i vezikes, karakteristik i çistitit, mund të ketë disa shkaqe, megjithatë në pjesën më të madhe të rasteve është e provokuar nga një infeksion bakterial që prek rrugët urinare.
Nga ana epidemiologjike, çistitit është një patologji që prek kryesisht femrat. Kjo sepse uretra e femrave është më e shkurtër se ajo e meshkujve, ndaj është më i lehte kalimi i baktereve deri në vezikën urinare. Eshtë llogaritur që 25-30% e grave nga mosha 20 deri ne 50 vjece ka pasur cistit të paktën një herë në jetë dhe 15-20% e grave ankohet se ka një episod çistiti në vit.
Inflamacioni shkaktohet nga baktere që ‘’popullojnë’’ traktin e fundit të zorrës.
Shenjat/Simptomat me të cilat mund ta dallojmë çistitin janë:
-Nevoja urgjente për të urinuar shpesh por me sasi të vogla urine
-Vështirësi në urinim, shpeshherë edhe sforcim
-Djegie ose dhembje gjatë urinimit, ndonjëherë e shoqeruar me ethe dhe të dridhura sepse shpesh mund të provokojë temperaturë(ndonëse jo shumë të lartë)
-Urina të turbullta e ndonjëherë me arome të keqe
-Ndonjëherë mund të kemi prezencë të ematurisë, apo prezencë të gjakut në urinë
Normalisht, simptomat e çistitit kanë tendencën të qetësohen ose të zhduken në krye të disa ditëve, vecanerisht nëse trajtohet me antibiotikë.
Ndërsa në rastin e çistiteve përseritëse(çistite që përseriten të pakten tre here në harkun e një viti) është e këshillueshme të kihet parasysh një terapi e fokusuar tek parandalimi, në mënyrë që të evitohet përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve. Në këtë rast këshillohet përdorimi i boronicave të kuqe dhe probiotikëve.
Diagnoza:
Diagnoza e çistitit merr shkas nga prania e simptomave të lartpërmendura. Simptomat duhet të jenë sinjali që të na shtyjne për të berë ANALIZEN E URINES. Deri ne 10.000 koloni per ml, konsiderohet normale. Rezultate me përqëndrim më të lartë se 100.000/ml na japin informacion për një infeksion urinar bakterial(çistit). Këshillohet që pas konfirmimit të prezencës së infeksionit bakterial, të procedohet me antibiogramen, një analizë e nevojshme për të testuar sensibilitetin e kolonive bakteriale ndaj antibiotikëve. Kjo analizë ndihmon në zgjedhjen e duhur të antibiotikut që duhet përdorur. Kjo është rruga e duhur që duhet të kryeni në trajtimin e cfarëdolloj infeksioni urinar! Mos merrni antibiotikë pa mësuar cilët antibiotikë janë sensibël ndaj infeksionit tuaj!!
—Theksoj se këto hapa janë shumë të rëndësishem sidomos në kohët e sotme kur rezistenca ndaj antibiotikëve po rritet dhe më shumë i bëjmë keq vetes sesa mirë!
Në rastest e çistitëve që përseriten shpesh, do të ishte e këshillueshme që përvec diagnozes mikrobiologjike të kryhen edhe analiza të tjera urologjike, gjinekologjike, gastroeneterologjike dhe endokrinologjike, në mënyrë që te zgjidhim plotësisht arsyet e infeksionit.
Trajtimi për çistitin:
Sigurisht që është mjeku i cili ju ndjek ai që vendos mjekimin më të mirë për çistitin, mjekim i cili bazohet në antibiogramën. Sigurisht që në rastet më të rënda( ku edhe urina është shumë e ngarkuar me baktere), rekomandohet përdorimi i antibiotikëve, shpesh herë shoqëruar me antispastikë(që reduktojnë kontraktimin e muskujve ). Disa ditë pas mbarimit të terapisë me antibiotikë këshillohet përsëritja e analizës në mënyrë që të evitohen çistitet kronike dhe komplikime.
Në raste më të lehta (ku edhe ngarkesa me baktere është më e ulet, është e mundur të veprojmë me vitaminë A, bima e rrushit të arushës (uva ursine) , diuretiket( që bëjnë të mundur prodhimin e më shumë lëngjeve dhe shtimin e urinës) etj.
Gjithashtu është e këshillueshme të pihet shumë ujë.
Si të parandalojmë shfaqjen e Cistitit?
Çistiti është shumë i zakonshëm, ama mund të parandalohet. Ndajmë me ju disa këshilla të thjeshta si:
-Të pini shumë ujë dhe shpesh: konsumimi i ujit ndihmon në parandalimin e shfaqjes se çistitit
-Evitoni të mbani shumë gjatë urinën sepse kjo con në shtimin e baktereve
-Ndiqni një dietë të shëndetëshme dhe të ekulibruar dhe praktikoni ushtrime fizike në mënyrë që të rrisni eficencen e sistemit imunitar
-Lahuni e pastrohuni pas marrëdhënieve seksuale
-Përdorni të brëndshme pambuku
-Mos përdorni të brëndshme apo pantallona shumë të shtrënguara
-Kujdes detergjentët intime që përdorni, të mos jenë agresive
-Hani shumë fruta dhe perime. Kryesisht ju rekomandojmë boronicen e kuqe e cila është një aleat në luftën me çistitin