
01 Jun Depresioni postpartum – Si të ndihmosh një mama të re
Çfarë të bësh kur ankthi dhe mërzitja zgjasin?
Lindja e një fëmije është një peiudhë gëzimi dhe ngazëllimi për shumë femra. Por, për disa, lindja mund të nxjerri në sipërfaqe ndjenja të fshehura të ankthit dhe mërzitjes.
Kur këto ndjenja zgjasin shumë në kohë dhe ndërhyjnë në jetën dhe marrëdhëniet e përditshme, njihen ndryshe edhe si Depresioni Postpartum (PPD dhe kjo gjendje asnjëherë nuk duhet anashkaluar.
Pas lindjes së një fëmijë, është e zakonshme që të përjetosh një shqetësim të vazhdueshëm se diçka mund të ndodh por këto ndjenja janë shpesh të paarsyeshme. Ndenja të vazhdueshme të fajit janë gjithashtu ndjesi të zakonshme, duke qënë se disa femra arrijnë të kuptojnë se diçka nuk po shkon siç duhet dhe se në vend të tyre ato duhet të ndjejnë ngazëllim dhe lumturi. Por, depresioni nuk i lejon të tejkalojnë këtë gjendje.
PPD godet edhe ato femra të cilat kanë përjetuar një abort apo lindje të fëmijës së vdekur.
Informacioni mbi PPD, si shpeshtësia ose simptomat dhe mënyra se si mund të shfaqet, është I rëndësishëm pasi mund të ndihmojë të afërmit dhe miqtë që të ndërgjegjësohen dhe të bindin një grua që vuan nga kjo gjëndje për të kërkuar ndihmë.
Sa i shpeshtë është PPD?
Një formë më e lehtë e PPD është edhe ajo që shpesh e quajmë “baby blues” ose nëse do mund ta përkthenim si “mërzitja e nënave”, e cila lidhet me ndryshimet e humorit dhe një formë të lehtë të depresionit pas lindjes, prek rreth 50% të femrave, por simptomat largohen pas rreth 2 javesh.
Megjithatë, rreth 15% e femrave shfaqin simptomat e PPD të cilat zgjasin më shumë se dy javë. Mes nënave, të cilat kanë përjetuar më herët PPD, rreziku rritet me rreth 50% që kjo formë depresioni të përsëritet.
Disa femra janë në rrezik më të madh
Edhe pse çdo grua mund të përjetojë PPD, janë disa faktorë të cilët rrisin rrëzikun për të zhvilluar PPD:
- Rënie e nivelit të estrogjenit ose të progresteronit
- Përvoja të mëparshme me ankthin apo depresionin (histori personale apo familjare)
- Marrëdhënie të këqija në çift
- Stresorë akutë (psh. Vdekja e një njeriu të dashur)
- Ekspozimi ndaj toksinave apo ndotjes
- Dietë e varfër
- Mbështetje e pakët sociale
- Temperamenti i vështirë i foshnjes
- Pritshmëritë e mëmësisë nuk përputhen me realitetin
Shenjat e PPD
Femrat, të cilat vuajnë nga PPD paraqesin një shumëllojshmëri shenjash dhe simptomash:
Ato mund të ndihen të përgjumëra, por shpesh janë të paafta që të bien për të fjetur kur u jepet mundësia. Gjithashtu, ato mund të kenë rënie të motivimit dhe oreksit. Më së shumti ato ndihen të mbingarkuara dhe/ose të papërshtatshme. Simptoma të tjera janë ndjenja e shtypjes në gjoks dhe palpitacionet. Ato mund të kenë edhe shpërthime në të qara dhe mund të preken shumë shpejt edhe për gjëra shumë të vogla.
Efektet e depresionit pas lindjes
Efektet e PDD mund të jenë të shumta. Ndër to mund të përmenden:
- Lidhje e kufizuar ndërmjet nënës dhe fëmijës
- Një thyerje në marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes
- Humbje në peshë
- Ikje të qumështit, në rastet kur i ushqejnë fëmijët me gji
- Rritje të shqetësimit te i porsalinduri
Dhënia e mbështetjes është çelsi
Shumë femra që shfaqin PPD e kanë të vështirë që të flasin rreth problemit që kanë apo që të kuptojnë atë cfar; po ju ndodh. Në këtë rast, njerëzit afër saj mund të kuptjnë më shumë dhe të ndihmojnë
Nëse dyshoni se një e afërmja juaj po përjeton depresion, është e rëndësishme që të tregoheni mbështetës dhe të kuptueshmë, e njëkohësisht t’i njihni sfidat e të paturit të një të porsalinduri.
Nëse dikush që ju njihni shfaq shenja të PPD, ndërmerrni këto 5 hapa:
- Inkurajojeni atë që të kërkojnë ndihmë mjekësore
- Njiheni atë me dikë që ka përjetuar gjithashtu PPD dhe ia ka dalë mbanë
- Minimizoni sa të jetë e mundur kohën që ajo qëndron e vetme (të paktën derisa simptomat të përmirësohen ose trajtimi të ketë filluar të jap efekt)
- Ndihmojeni që të fitojë vetbesimin
- Pakësojini përgjegjësitë
Njihuni me mundësitë e trajtimit
Në shumicën e rasteve, këshillimi ose mjekimi janë terapitë që mund të nevojiten.
Mjeku i familjes, gjinekolog/obstetër, mami ose një mjek i përgjithshëm mund ta referojnë gruan me PPD te një profesionist i shëndetit mendor për terapi konjitive bihejviorale (CBT).
Ndërmjet barnave që mund të përdoren, inhibitorët e rikapjes së serotonines (SSRI) ose triciklikët mund të ndihmojnë në luftën kundër simptomave të PPD. Bisedoni me mjekun tuaj rreth marrjes së këtyre barnave, sidomos kur jeni duke e ushqyer fëmijën tuaj me gji.