
18 Dec Pyetjet dhe përgjigjet e zakonshme përpara pastrimit të gurëzave nga Dr.Laura Deliu
Pastrimi profesional i gurëzave dhe cipave është shërbimi thelbësor dhe më i rëndësishëm në praktikën dentare, le të themi alfa e gjithë proҫeseve të tjera.
Nga jashtë dhëmbët mund të duken të fortë e të bardhë, por mjafton një vizitë tek dentisti për dhëmballën që të ka dhembur gjithë natën dhe “boom” zbulon që t’i ke nevojë urgjente për pastrim gurëzash.
Personalisht gjëja e parë që më tërheq vëmendje tek vizita që i bej pacientëve janë mishrat e dhëmbëve. Gurëzat,cipat nënkuptojnë biofilma bakteriale, që do të thotë, nëse e kuron dhëmballën që ka dhimbje dhe mbas kësaj e bën gjumin i qetë, rreziku për t’u përsëritur e njëjta gjë nuk ka kaluar sepse bakteriet sëmundje shkaktuese ndodhen akoma në gojë, në një shifër të lartë,të gatshme të prishin dhëmbët dhe të dëmtojnë mishrat e dhëmbëve. Ndaj kur shikohet një gjëndje e tillë si në foto, rekomandohet menjëherë pastrimi i gurëzave dhe këshilla se si duhet të mbahet higjena e mirë e gojës.
Në praktikën e përditshme hasem me këto pyetje:
1. Sa zgjat si proҫedurë?
Si proҫedurë zgjat 20-60 minuta.Në qoftë se je pacient i rregullt dhe paraqitesh në klinikë për pastrim të paktën ҫdo 6 muaj zgjat përafërsisht 20-30 minuta. Në qoftë se ti nuk i ke pastruar kurrë gurëzat, përgatitu për 60 minuta, madje ndonjëherë mund të bëhet pastrimi dhe në dy seanca. Sa më gjatë të lihen pa pastruar gurëzat nga ana e pacientit, aq më shumë kohë i duhet dentistit për t’i pastruar.
2. A dhembin?
Kjo po që është pyetje e vështirë dhe refuzoj t’i përgjigjem. E vetmja gjë që mund t’i them me bindje pacientit është se perceptimi i dhimbjes është subjektiv, ka pacient qe ndjejnë dhimbje sa e shohin kavitronin(paisja që pastron gurëzat) e ka të tjerë që nuk u bën përshtypje. Megjithatë pacienti duhet të qetësohet dhe nëse është e nevojshme përdoret anestezia infiltrative dhe topikale.
3. Do më zbardhen?
Jo, pastrimi i gurëzave nuk i zbardh dhëmbet,thjesht nxjerr në pah ngjyrën normale të dhëmbit. Dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve do të jenë të shëndetshëm dhe kjo do e bëjë buzëqeshjen të shkëlqejë.
4. Më kanë thënë që pastrimi i gurëzave m’i dëmton dhëmbët,madje në qoftë se i bën një herë atëhere duhet t’i bësh gjithmonë?!
INFORMACION I GABUAR. Nëse ke gurëza,cipat duhen pastruar me patjetër.
Mospastrimi dëmton dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve
PUNOI: Dr. Laura Deliu