
30 Dec Si duhet të sillemi që fëmija juaj të mos ketë frikë nga vizita tek dentisti
Jo rrallë herë kemi dëgjuar raste , jo vetëm për fëmijë , por edhe për të rritur që kanë frikë të shkojnë tek dentisti qoftë edhe për një kontroll rutinë për shëndetin e dhëmbeve. Është shumë e rëndësishme që takimi me dentistin mos të shmanget dhe të jetë periodik . Po ju njohim me disa keshilla sesi duhet të silleni me femijët tuaj që takimi me dentistin të mos jetë i frikshëm.
1. Edukojeni fëmijën tuaj që të ketë kujdes për higjenën e gojës. Disa sjellje si p.sh larja e dhëmbëve duhet të behet rutinë që në vegjëli.
2. Përshkruajeni dentistin tek fëmija juaj si profesionisti i cili kujdeset për shëndetin e mirë të dhëmbëve dhe klinikën dentare si ambjenti ku do të kurohen dhëmbët e sëmurë dhe mirëmbahen dhëmbët e shëndetshëm.
3. Shikoni së bashku filma vizatimor edukativ ku personazhet e kukullave kanë eksperienca pozitive tek dentisti.
4. Përdorni fjalë të thjeshta për t’i shpjeguar arsyen se pse duhet të shkoj tek dentisti. P.sh për grupmoshat 4-7 vjec mund të thoni: “Duke qënë se ke ngrënë shumë cokollata dhe karamele, dhembit i ka hyrë një krimb dhe ndaj ti ke dhimbje. Duhet të shkojmë tek dentisti që t’i heqim krimbin dhëmbit dhe të bëhet sërisht i bardhë.”
5. Shmangni shprehje të tilla në prezencë të fëmijëve: ”bobo sa frikë kam të shkoj tek dentisti, më mirë duroj dhimbjet sesa të shkoj atje”. Shprehje të ngjashme si këto ngjallin frikë dhe pasiguri në sy të fëmijës. Fëmija i beson fjalës suaj dhe krijon një paragjykim se dhe eksperienca e tij do të jetë njësoj si e juaja.
6. Zgjidheni me kujdes dentistin se ku do shkojë fëmija juaj. Duhet të jetë person i specializuar për trajtimin e fëmijëve. Seanca me fëmijën kërkon shumë durim, përkushtim dhe vëmendje.
7. Caktoni një takim për prezantim, pra fëmija duhet të njihet me ambjentin e klinikës dhe paisjet që ndodhen aty,gjithashtu duhet të krijojë besim tek dentisti dhe klinika, të ndihet i sigurt në ambjentet e klinikës.
8. Vizitat duhet të jenë periodike dhe përherë të shpërblehen me dhurata apo fjalë të mira stimuluese.
9. Në qoftë se jeni tek dentisti dhe po prisni në rradhë bashkë me femijën tuaj disi “të zhurmshëm” mos përdorni shprehje si p.sh: “rri urtë se ndryshe dentisti do të të bëj gjilpërën”. Këto fjalë kërcënuese e trembin fëmijën dhe ndjellin frikë.
10. Mos e gënjeni fëmijën tuaj p.sh “do shkojmë tek dentisti, por s’do të bëjë gjilpërë” ose “vetëm sa do të shohë sot”. Së pari procedura e punës mund të kërkojë bërjen e anestezisë dhe në momentin që ndodh e kundërta e pritshmërisë, fëmija zhgënjehet dhe humbet dëshirën për t’u rikthyer prapë në klinikë.
PUNOI: Dr. Laura Deliu