
29 Oct Sot dita botërore e Iktusit. Ja si ta parandalojmë
Iktusi është një gjendje e rëndë patologjike, e cila verifikohet kur truri nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak dhe si pasoje qelizat e trurit fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe te lëndëve ushqyese. Kjo gjëndje ndodh si pasojë e një bllokimi të arterieve që dërgojnë gjak në tru(iktus ishemik), apo si pasojë e carjes së arteries (iktus hemoragjik).
Kohët e fundit, iktusi po kthehet në një problem të madh duke prekur rreth 15 milionë njerëz në vit në botë, duke qenë shkak I rreth 6,7 milionë vdekjeve , ose e përkthyer në përqindje 12% të vdekjeve ne nivel botëror.
Gjëndja është bërë edhe më alarmante me uljen e moshes së shfaqjes se iktusit, duke u shfaqur edhe ne mosha shume të reja. Mjekët kudo në botë japin alarmin.
Megjithatë, lajmi I mirë është se ne 90% të rasteve mund TË PARANDALOHET!
Por, le të flasim fillimisht për simptomat.
Cilat janë shenjat e para që na ndihmojnë në identifikimin e Iktusit?
Karakteristika kryesore e Iktusit është shfaqja e menjëherëshme dhe e papritur.
Shenjat kryesore janë:
-mungesa e forcës në menyrë të papritur
-mpirja ose humbja e ndjeshmërisë në fytyrë, në një krahë apo në një këmbë (zakonisht në një anë të trupit)
-ndjesi shpimi gjilperash në një krahë apo këmbë
-vështirësi në të folur, vështirësi në të kuptuar
-vështiresi në shikim, që mund të manifestohet ne një sy ose në të dy
-humbje ekuilibri dhe veshtirësi në të ecur
-dhimbje e fortë koke pa një shkak
Por, c’duhet të bëjmë për të evituar një iktus?
1)Shumë studime na sygjerojnë se rreziku i Iktusit mund të reduktohet në 50% nëse praktikojmë aktivitet fizik të rregullt, ndonëse të një intensiteti të ulët( mjafton një shëtitjë në ajër të paster, për gjysëm ore cdo ditë)
2) Mos e ekzagjeroni me yndyrnat dhe alkolin. Të reduktohet niveli i yndyrnave dhe ushqimeve te kripura apo te konservuara si : mishi I kuq te reduktohet në 3-4 herë në muaj, djathrat me shumë kripë te jenë në nivele të moderuara, sallamet thuajse te reduktohen fare dhe alkoli të përdoret me kujdes. Të perdoret peshku si suplement i mishit të kuq dhe sa më shumë fruta dhe perime.
3) Evitoni duhanin, i cili ka aftësine të favorizojë formimin e pllakave që bllokojnë arteriet e trurit, duke provokuar Iktusin .
4)Mbani në kontroll tensionin e gjakut, monitorojeni, përpiquni ta keni nën kontroll edhe me barna, nëse është nevoja, për të qënë poshtë niveleve 140-90 mmHg
5)Aspirina. U ndala ne këtë pikë sepse shumë mesazhe drejtuar stafit tonë janë pikërisht: ‘’A duhet të marr aspirinë për të evituar iktusin apo sëmundje të tjera kardiovaskulare?’’ Në fakt, ndonëse është vënë re një rol mbrojtës i aspirinës, do ju këshillonim që këtë vendim ta merrnit me mjekun e familjes, i cili njeh edhe anamnezën tuaj. Pyeteni mjekun e familjes nëse e sheh të arsyeshme tju japë aspirinë. Zakonisht aspirina jepet tek pacientët që kane edhe faktorë të tjere rreziku si Diabeti.
6)Mbani nën kontroll peshën tuaj. Perpiquni të jeni të kujdesshëm në ruajtjen e një peshe normale duke pasur parasysh dietën dhe aktivitetin fizik.
7)Kontrolloni glicemine. Bëni kontrolle periodike të glicemisë, në mënyrë që të keni ne kontroll, pasi diabeti është një faktor i rëndësishëm risku për iktusin.
Iktusi është një gjendje e rrezikshme, ama nese jeni të kujdesshem ndaj të gjithë këshillave të lartpërmendura, do të ruheni jo vetëm nga iktusi, por nga shumë sëmundje të tjera.